Prej 21 vitesh në Europë dhe në mes të kampionatit, kush është Ventspils që rivalizon Teutën

Për publikun shqiptar emri i Ventspils është i njohur që prej sezonit të kaluar, skuadra letoneze u përball me Luftëtarin në dy ndeshje që do të hyjnë në histori për mënyrën e turpshme se si u paraqitën për herë të parë gjirokastritët të cilët tanimë janë nën hetim nga UEFA për dyshimin e trukimeve të ndeshjeve.

Por rivali i këtij edicioni i Teutës në Europë, ka një histori të gjatë në Kupat e Europës, ku luan prej 20 vitesh radhazi dhe ky do të jetë edicioni i 21-të në të cilin marrin pjesë. Arritje sigurisht e shkëlqyer për një klub të krijuar vetëm 22 vite më parë. Fituesi i 6 titujve kampion dhe 7 Kupave, Ventspils u bë skuadra e parë letoneze që merrte pjesë në fazën në grupe të Ligës së Europës, në sezonin 2009-2010, duke marrë atje barazime ndaj të tre ekipeve që kishte përballë: Herta Berlin, Herenven dhe Sporting Lisbonë.

Në vitet e fundit, në pjesëmarrjet në Ligën e Europës, Ventspils ka kaluar rregullisht turin e parë por është ndalur në të dytin. Në renditjen aktuale të UEFA-s, është e 257-a me koeficientin 5,350.

Disavantazhi që ka Teuta në krahasim me Ventspils, është se aktualisht në Letoni po luhet kampionati i futbollit. Pas 15 ndeshjeve të para të këtij sezoni, Ventspils është në vendin e 5-të, me 20 pikë. Me pak fjalë, ndeshjet e Europës e gjejnë këtë skuadër në mes të sezonit e dukshëm me një avantazh të ndjeshëm në përgatitje fizike në krahasim me Teutën. /vipsport.al/