Pogba e di të ardhmen e tij, mesfushori gati të bëjë lëvizjen ekstreme ndaj klubit

Pol Pogba duket gjithnjë e më larg Mançesterit. Përveç kërkesave nga Juventusi dhe Reali i Madridit, francezi nuk kërkon të qëndroj një sezon pa marrë pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm, atë të Champions League.

Ndërkaq, një nga arsyet që më së shumti e shtyn Pogba larg ‘Old Trafford’, është edhe Zinedin Zidan. Trajneri i madrilenëve duket se e ka bindur patriotin e tij, teksa do t’i dorëzojë çelësat e mesfushës madrilene. Dhe në rast se Pogba has në kundërshti nga Mançester Junajtid atëherë do të jetë ai vetë që do të paraqesë kërkesën në klub për t’u larguar.

Një veprim i cili do t’i vendoste anglezët me shpatulla pas muri, teksa do të shtrëngoheshin më pas të pranonin ofertën për 26-vjeçarin, për të mos mbajtur në skuadër një lojtar pa dëshirën e tij. Megjithatë, sërish Junajtid nuk do të dalë e humbur, pasi me siguri ‘Djajtë e Kuq’ do të përfitojnë mbi 100 milionë euro, diçka më shumë se sa shpenzuan kur e rikthyen nga Juventusi në 2016.

/Egi Çabeli-VipSport.al/