Po priste “shpërblimin”, Enea Jorgji zhgënjehet përsëri nga UEFA

Duhej të ishte viti i hapit të madh të radhës në karrierë, por për Enea Jorgjin nuk ka pasur “shpërblim” as këtë radhë nga UEFA. Gjyqtari më i mirë ndërkombëtar shqiptar është anashkaluar përsëri për “ngritje në detyrë” sa i përket kategorizimit të tij, që do ta bënte edhe më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare e sigurisht me përfitime më të mëdha ekonomike.

Prej disa vitesh Jorgji është një prej gjyqtarëve më të spikatur shqiptar dhe që nga viti 2011, pjesë e vazhdueshme edhe e aktiviteteve ndërkombëtare pasi u pajis asokohe me stemën e FIFA-s duke marrë vlerësime të mëdha të menjëhershme. Me kalimin e viteve dhe eksperiencën në arenën ndërkombëtare, Komisioni i vlerësimit të gjyqtarëve në UEFA vendosi që nga Kategoria e Tretë e gjyqtarëve, emri i Jorgjit të kalonte në Kategorinë e Dytë.

Në këtë mënyrë, atij iu dha mundësia që të drejtonte ndeshje më të rëndësishme, si sfida të fazës së grupeve të Ligës së Europës, apo ndeshje kualifikuese të Kampionatit Europian. Jorgji shpresonte se me ndeshjet e fundit që kishte drejtuar në arenën ndërkombëtare, të kishte bindur këtë komision që t’i besonin ngritjen në Kategorinë e Parë. Në këtë mënyrë, ai do të kishte më shumë ndeshje në grupet e Ligës së Europës apo edhe Champions League, si dhe në ndeshjet kualifikuese të Europianëve e Botërorëve.

Një ndryshim që përkthehej edhe në fitime më të mëdha financiare, pasi për çdo sfidë, një gjyqtar i Kategorisë së Parë përfiton nga UEFA një pages prej 3000 eurosh.

Vip Sport ka mësuar se edhe këtë radhë Komisioni i UEFA-s ka vendosur që Jorgji nuk është gati për të bërë hapin e radhës në karrierë, që do ta çonte atë pranë elitës së gjykimit në Europë. Kësisoj, të paktën edhe për gjysmën e dytë të vitit, Jorgji do të mbetet gjyqtar i Kategorisë së Dytë, pa arritur të bëhet pjesë e niveleve më të larta. Gjithsesi, shpresat për ngritjen e tij që në dhjetor janë reale, duke llogaritur se në grupin e Kategorisë së Parë, ka shumë gjyqtarë të cilët po i afrohen fundit të karrierës së tyre.

Sa u përket emrave të tjerë shqiptarë, asnjë ndryshim për Juxhin Xhajën dhe Eldorian Hamitin, të cilët mbeten pjesë të Kategorisë së Tretë ndërkombëtare, kurse Emanuela Rusta po ashtu do te mbetet në Kategorinë e Tretë për futbollin e femrave. /vipsport.al/