Pjesë e stafit te Kukësit e Partizanit, tani vazhdon karrierën në Greqi

Marko Jovanoviç ka qenë për dy sezone radhazi pjesë e futbollit shqiptar në skuadra të rëndësishme në Superiore. I afruar fillimisht si ndihmës i Mladen Milinkoviç te Luftëtari, ndihmëstrajneri serb e ndoqi atë edhe në aventurën e tij te Kukësi.

Më pas, me largimin e Milinkoviç, ai zgjodhi t’i bashkohej Partizanit për të punuar disa muaj te të kuqtë, para se të largohej pa shumë ceremoni me afrimin e Skënder Gegës. Jovanoviç u kthye në vendlindje, ku punoi për ekipin e Metalac për disa muaj, para se të vihej në kërkim të një aventure të re.

Kjo aventurë do të jetë në Greqi, ku ai është bërë pjesë e stafit të klubit të Panaçaiki, si asistent i parë i trajnerit Zvezdan Milosheviç. Pikërisht CV shqiptare e Jovanoviç ka bindur drejtuesit e klubit të kategorisë së dytë greke t’i besojnë këtë post dhe të nënshkruajnë me të, pasi falë eksperiencave në vendin tonë, ai ka pasur mundësi që të asistojë në skuadra të ndryshme në rrugëtimin e tyre edhe në Kupat e Europës. /vipsport.al/