Pesë stadiume në rikonstruksion për sezonin e ri, Kategoria e Parë me “look” modern!

Pesë stadiume pritet që të pësojnë ndryshime në sezonin e ardhshëm. Sipas porosive të lëna nga sektori i licencimeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëhet fjalë për stadiumet e Shkumbinit dhe Devollit që u ngjitën në fund të sezonit të shkuar në Kategorinë e Parë.

Në Peqin janë lënë më shumë detyra, me rrethimin e jashtë, por edhe me rikonstruksionin e mjediseve e sidomos me tapetin e barit natyral që krijon probleme në kohë reshjesh. E njëjta gjë edhe për Devollin.

Ndërkohë ndërhyrje do të ketë edhe në Lushnjë. Ndërsa, në Kavajë punimet kanë kohë që kanë nisur dhe stadiumi pritet që të jetë me pamje ndryshe në sezonin e ardhshëm, ndonëse janë lënë shumë detyra.

Duke filluar që nga shkallët e stadiumit, rrethimin e jashtëm dhe atë të brendshëm, ndërhyrjet në tribunën kryesore dhe në dhomat e zhveshjeve duke qenë se amortizimi kanë rënë shumë në sy gjatë sezonit në shkuar.

Ndërkohë edhe në Fier, ndonëse është në plan stadiumi i ri, pritet që “Loni Papuçiu” të ketë ndërhyrje në tapetin e barit, por edhe në tribunën qendrore, ku mungon mbulesa dhe për këtë do të kujdeset klubi por edhe Bashkia e Fierit.

E.S./Vipsport.al/