Pas Superiores shkëlqeu edhe në Azerbajxhan, klubet shqiptare presin përfitime nga Xhejms

Xhejms Adeni u largua një vit më parë nga Skënderbeu, për t’i dhënë fund aventurës së tij në Shqipëri dhe për të ndjekur një ofertë më të mirë financiare nga kampionati azer i futbollit. Xhejms u aktivizua atje me Gabala, duke u kthyer shumë shpejt në një prej sulmuesve më të spikatur në kampionatin azer të cilin e mbylli me 10 gola në vendin  tretë të golashënuesve më të mirë.

Kjo paraqitje e tij ka tërhequr vëmendjen e klubeve nga vente të tjera, Sipas mediave azere, Xhejms është kthyer në një nga emrat më të lakuar në radhët e skuadrës së Gabala, pasi disa klube arabe kanë shfaqur interes për të blerë kartonin e sulmuesit i cili luajti 6 vite në vendin tonë para se të largohej drejt Azerbajxhanit.

Por nuk janë skuadrat arabe të vetmet që interesohen për të. Një klub hungarez, emri i të cilit nuk bëhet i njohur, ka shfaqur gjithashtu interes për futbollistin. Por ai e kërkon Xhejms me formulën e huazimit me të drejtën e ndarjes të fitimeve nëse arrin ta shesë në një klub më të njohur në verën e ardhshme.

Për klubet shqiptare ku Xhejms ka luajtur që në moshën 19-vjeçare, shitja e sulmuesit përkthehet në të ardhura që i takojnë për formimin e tij deri në moshën 23-vjeçare. Bylis, Laçi, por edhe Skënderbeu, do të përfitonin financiarisht në bazë të shumës nëpërmjet të cilës do të bëhej transferimi i futbollistit nigerian, i cili ka kaluar thuajse gjithë karrierën e tij në klube shqiptare. /vipsport.al/