Pas Kofit, Bylisi lë të lirë edhe mesfushorin, gati rikthimi në “shtëpi”

Pas togolezit Kofi Doseh klubi i Bylisit ka ndërprerë marrëdhënien e bashkëpunimit me një tjetër lojtar nga titullarët e sezonit të shkuar, pogradecarin Ildi Shyti që dha një kontribut të çmuar në ngjitjen e mallakastriotëve në Superiore. “E falënderojmë Ildi Shytin një djalë shembullor brenda dhe jashtë fushë duke i shtuar edhe cilësinë e tij si një lojtar mjaft punëtor dhe profesionist”.

“Ildi Shyti dhe klubi ndërpresim marrëdhëniet me mirëkuptim dhe me shtrëngim duarsh, duke e konsideruar si pjesë e rëndësishme të suksesit historik që arritëm në sezonin e shkuar. I urojmë suksese në karrierën e gjatë Ildi Shytit”,  – ka qenë reagimi i klubit të Bylisit.

Nga sa bëhet e ditur, Shyti ka gjetur akordin dhe këtë e ka konfirmuar edhe shefi i klubit pogradecar, Arjan Terolli për “Vipsport”.

Ballshiotët pritet që javën që vjen të përcaktojnë edhe detaje rreth afrimeve apo të bëjnë edhe konfirmime me lojtarët titullarë nga sezoni i shkuar por që iu ka përfunduar kontrata. Presidenca ka si synim që grupi të ruhet gati 80%.

E.S./Vipsport.al/