Pas Bares edhe Manaj e mbyll në lot, asnjëri nuk do të shkojë në La Liga

Ashtu si Keidi Bare, edhe Rei Manaj do të vazhdojë të qëndrojë në La Liga 2 në sezonin e ardhshëm  pasi skuadra e Albacetes nuk ia doli dot të siguronte ngjitjen në elitën e futbollit spanjoll nëpërmjet play-off. Malaga e Bares u eliminua nga Deportivo një ditë më parë, ndërsa sot të njëjtin fat e kishte edhe Albacete përballë Majorkës.

Në fakt, skuadra e Manajt kishte më shumë shanse për të vazhduar më tej, edhe pse kishte humbur 2-0 ndeshjen e parë. Ekipi i sulmuesit shqiptar, titullar në këtë sfidë, kaloi në avantazh në pjesën e parë me një goditje dënimi të Bela dhe iu afrua shumë herë golit të dytë. Por saktësia para portës e Manajt apo Zozulia la për të dëshiruar dhe pavarësisht dominimit të dukshëm në lojë e raste, goli i dytë nuk erdhi, duke bërë që në finalen e play-off të shkonte Majorka.

Me vërshëllimën përfundimtare, të gjithë lojtarët e Albacetes shpërthyen në lot, duke e ditur se kishin humbur një mundësi shumë të mirë për të shkuar në La Liga, në një edicion ku kishin qenë gjithmonë afër edhe ngjitjes direkte. Megjithatë, ata u larguan nga fusha e lojë mes duartrokitjeve të tifozëve, të cilët i falënderuan në këtë mënyrë për sezonin thuajse të shkëlqyer që kishin kaluar. /vipsport.al/