Partizani përgatitet për miqësoren e radhës, luan ndaj një ekipi nga Europa League

Pas humbjes në miqësoren e parë me rezultatin 5-1 ndaj Sarajevos, Partizani do të luajë edhe ndeshjen e dytë miqësore në tokën sllovene. Këtë radhë, të kuqtë do të përballen me ekipin slloven të Murës që këtë sezon, e ka mbyllur kampionatin në vendin e katërt.

Lerda do të ketë mundësi të provojë të tjera skema dhe futbollistë në miqësoren e dytë ku natyrisht, synohet edhe një paraqitje më dinjitoze se ajo e pak ditëve më parë. Klubi i kuq ende nuk ka njoftuar në lidhje me miqësoren, megjithatë ajo do të luhet ditën e nesërme.

Orari në të cilin do të luhet ndeshja nuk është përcaktuar megjithatë, pritet të luhet pasdite. Sakaq, të kuqtë do të luajnë edhe ndeshje të tjera miqësore në tokën sllovene ndërkohë që Mura luan në Europa League nga turi i parë, ku e nis ndaj Makabi Haifas. /Erjon Allaraj-VipSport.al/