Partizani mëson orarin e Championsit, luan pa prozhektorë dhe në vapë

Titulli kampion i siguruar pak javë më parë, i ka siguruar Partizanit pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve ku do ta nisë rrugëtimin nga turi i parë. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës, nuk ishte shumë me fat për të kuqtë pasi përballë tyre do të jenë azerët e Karabakut, skuadër kjo e njohur në Shqipëri pasi sezonin e kaluar eliminoi Kukësin.

Ndeshja e parë mes Partizanit dhe Karabakut do të luhet në datën 10 korrik, ndërkohë që nuk ishte publikuar ende orari. Sakaq, “VipSport” ka mësuar se Partizani është njohur tashmë me orarin dhe do ta luajë pasdite ndeshjen dhe jo në mbrëmje siç donin tifozët e kuq. Takimi i parë do të luhet në orën 17:30, orar ky jo shumë i përshtatshëm për një ndeshje të tillë duke ditur ehe temperaturat në Tiranë në muajin korrik.  Vlen të theksohet se Partizani është i detyruar të luajë ndeshjet e Europës pa prozhektorë, duke qenë se ndriçimi artificial në stadiumin “Selman Stërmasi”, nuk është i licencuar nga UEFA për ndeshje të tilla.

Sakaq, ndeshja e kthimit do të luhet një javë më vonë në Azerbajxhan, duke filluar nga ora 19:00 dhe është vendosur që ndryshe nga ndeshjet e tjera që luhen në “Tofig Behramov”, ndeshja e kthimit luhet në “Dalga Arena”, stadium modest me një kapacitet prej 6.500 vendesh. Takimi i parë, do të luhet në “Selman Stërmasi” ashtu siç edhe janë luajtur ndeshjet e Superiores për klubin e kuq. /Erjon Allaraj-VipSport.al/