Nuk ndalet Teuta, durrsakët zyrtarizojnë përforcimin e pestë në merkato

Klubi i Teutës është i pandalshëm këtë merkato verore. Durrsakët, pasi zyrtarizuan ditën e sotme transferimin e mesfushorit Albano Aleksi, tashmë kanë mbyllur marrëveshjen dhe kanë zyrtarizuar edhe sulmuesin Arlind Kalaja. Ishte, klubi i Teutës që nëpërmjet faqes së tyre në ‘Facebook’ njoftoi për akordin me futbollistin 23-vjeçar.

Shkodrani, ishte në pronësinë e Kukësit, ndërsa në pjesën e dytë të sezonit ka luajtur për llogari të Kastriotit. Pas përforcimeve në mbrojtje dhe në mesfushë, tashmë Djemtë e Detit kanë transferuar edhe një sulmues.

Kalaja do të jetë menjëherë nën urdhrat e trajnerit, Bledi Shkëmbi, teksa skuadra nuk ka humbur kohë por ka nisur nga përgatitjet për turin eliminator të Ligës së Europës. Klubi bregdetar kërkon një përfaqësim dinjitoz në Europë, për të shkuar sa më larg të jetë e mundur.

/Egi Çabeli-VipSport.al/