Nuk ka më dyshime për mbrojtësin e Kombëtares, firmos me ekipin kampion

Paraqitjet e bëra në sezonin e fundit me fanellën e Panetolikosit, e kanë bërë Enea Mihajn të jetë në radarët e shumë klubeve në Greqi dhe jo vetëm. Mesa duket, e ardhmja e tij tashmë është vendosur dhe mbrojtësi 21-vjeçar do të qëndrojë në kampionatin grek, aty ku ka arritur akordin me PAOK-un.

Sipas mediave greke, sot pritet që Mihaj të firmosë kontratën me PAOK-un, ekipin kampion në fuqi ndërkohë që do të bashkohet në stërvitje ditën e nesërme, kur edhe do të nisin zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Mihaj i jep fund aventurës me Panetolikosin, skuadër te e cila spikati edhe në sytë e Panuçit duke e grumbulluar për ndeshjet e Kombëtares dhe duke i dhënë vetëm 1 minutë në ndeshje zyrtare.

Sakaq, e paqartë mbetet e ardhmja e Ergys Kaçes i cili gjithashtu është pjesë e PAOK-ut, por kampionët nuk kanë si objektiv ta mbajnë në skuadër dhe synojnë ta shesin ose edhe ta huazojnë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/