Nuk ka kthim pas për Grezdën, klubi gjen zëvendësuesit për sulmuesin e Kombëtares

Eros Grezda nuk ka më të ardhme te Rejnxhërsi dhe kjo tashmë duket qartë pasi skuadra skoceze ka udhëtuar drejt Portugalisë ku edhe po kryen fazën përgatitore. Sakaq, me skuadrën nuk ka udhëtuar sulmuesi i Kombëtares që duket se tashmë është më pranë se kurrë largimit nga Glasgou.

Mediat skoceze raportojnë se largimi i Grezdës është vetëm çështje kohe dhe se klubi i ka gjetur edhe pasuesit e tij dhe tashmë prezenca e sulmuesit kuqezi, duket e tepërt. Lënia jashtë për fazën përgatitore, duket se është vetëm një sinjal për Grezdën që nuk po llogaritet më ndërkohë që nga Skocia vjen një tjetër sinjal.

Klubi ka nënshkruar me dy sulmuesa të tjerë të cilët luajnë në krah, ndërkohë që rikthehet edhe një i tretë. Me afrimet e reja, Grezda është ai që tashmë e sheh veten të larguar ndërkohë që pritet që sulmuesi shqiptar të huazohet për të fituar minuta, por nuk përjashtohet mundësia e shitjes nëse mbërrin një ofertë e mirë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/