Nuk ka kthim mbrapa për Sabjen Lilajn, mesfushori firmos në Izrael

Sabjen Lilaj bëhet gati për një aventurë të re në karrierën e tij dhe nuk do të ketë aspak lidhje me zërat që e kanë parë atë së fundmi pranë klubeve të ndryshme të Superiores. Edhe pse ka marrë oferta nga thuajse të gjitha klubet kryesore në elitën e futbollit tonë, mesfushori ka zgjedhur që të vazhdojë të luajë jashtë, duke pranuar një ofertë mjaft të mirë financiare nga Izraeli.

Sipas “Sport Ekspres”, Lilaj ka firmosur për Sektzia Nes Tziona, një skuadër e sapongjitur në elitën e futbollit në këtë vend. Mesfushorit i është ofruar një kontratë dyvjeçare nga e cila do të përfitojë 300 mijë euro, shifër shumë më e lartë se sa mund të përfitonte në klubet e Superiores. Futbollisti pritet të udhëtojë në ditët e ardhshme për të hedhur të zezë mbi të bardhë në marrëveshjen e re që arriti të finalizonte për të vazhduar karrierën, pas eksperiencës së fundit te Gabala në Azerbajxhan.

Për 30-vjeçarin ky do të jetë klubi i 6 në karrierë, pasi më parë ka luajtur me Tiranën, Lokomotiv Zagreb, Skënderbeun, Kukësin dhe Gabala. Lilaj regjistron 16 ndeshje me fanellën e përfaqësueses shqiptare. /vipsport.al/