Një vit e gjysmë thatësirë në merkato, Totenhemi transferon talentin nga Championship

Skuadra e Totenhemit me në krye trajnerin Mauricio Poçetino arritën këtë sezon të mbërrinin deri në finalen e Ligës së Kampionëve. Edhe pse pësuan disfatë përballë Liverpulit, sërish sezoni i fundit për londinezët nuk mund të quhet dështim, duke llogaritur se klubi nuk shpenzonte në afrimin e lojtarëve në merkato prej një viti e gjysmë.

Në fakt, ngjason më shumë si një akt heroik i trajnerit argjentinas, pasi në shumicën e rasteve sapo hapet dritarja e transferimeve, teknikët nxitojnë të bëjnë riparime në merkato. Megjithatë, duket se tashmë klubi i Totenhemit i ka dhënë fund thatësirës së transferimeve dhe së shpejti do të zyrtarizojë nënshkrimin me anësorin 18-vjeçar, Xhek Klark.

Klark ka udhëtuar drejt Londrës për të kryer vizitat mjekësore, ndërsa në arkat e klubit të Lidsit, i cili kishte pronësinë  e kartonit të lojtarit do të shkojnë 10 milionë paund. Në sezonin e shkuar talenti ka impresionuar duke regjistruar 25 paraqitje, ndërsa tashmë Klark do të bëjë pjesë në radhët e nënkampionëve të Europës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/