Një vend për Kaçen dhe ndryshime në sulm, plani i Rejas për fitoren

Ndeshja ndaj Moldavisë është ajo që përcakton ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2020, por edhe përshtatjen e saj më të mirë me idetë e trajnerit Edi Reja. Ky i fundit, i ndërgjegjshëm që i duhet vetëm fitore, ka menduar që të bëjë ndryshime të vogla në rreshtimin e skuadrës.

Prapavija dhe krahët e mesfushës në rreshtimin 3-5-2 pritet të mbeten të paprekura në krahasim me ndeshjen me Islandën. Kjo për faktin e  thjeshtë se Mavraj që mund të kthehej në formacion, është i dëmtuar dhe do të mungojë në duelin e nesërm.

Një ndryshim do të bëhet në mesfushë, ku titullar parashikohet të luajë Ergys Kaçe, në vend të një prej atyre që nisën ndeshjen dy ditëve më parë në këtë repart. Edhe kuotat e Ndojit janë rritur ndjeshëm, pasi ai ka fantazi dhe di të krijojë gjithashtu aksione sulmuese për skuadrën.

Ndërkohë, në sulme e vetmja garanci për momentin është se nuk do të jenë përkrah njëri-tjetrit Balaj me Çikalleshin, eksperiment që nuk rezultoi shumë i suksesshëm. Sadiku do të jetë një prej titullarëve, por mbetet për t’u parë se kush do ta shoqërojë në repartin e avancuar. Meqë ekipi ka pasur pak kohë për të përgatitur këtë takim, Reja do të vendosë vetëm në ditën e ndeshjes se kush do të jenë titullarët, pasi të shohë edhe gjendjen fizike të shumë prej atyre që u aktivizuan në Reikjavik. /vipsport.al/