Një tjetër titullar i jep zyrtarisht lamtumirën Luftëtarit: Po e lë skuadrën, aty ku e meriton

Luftëtari po përballet me shumë largime në këtë merkato vere dhe janë të shumtë futbollistët që u larguan pas përfundimit të kontratës ndërkohë që kishte edhe përjashtime pak ditë para se të mbyllej kampionati. Një ndër to ishte mbrojtësi brazilian Xhekson Ferreira i cili i ka dhënë lamtumirën klubit bluzi dhe vetëm sot i ka përfunduar zyrtarisht kontrata.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, mbrojtësi i Luftëtarit ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë duke u shprehur se Luftëtarin po e lë në Kategorinë Superiore, aty ku realisht e meriton sipas tij.

“Sot kontrata ime përfundon. Dua të falënderoj presidentin, bordin drejtues dhe të gjithë ata që punojnë në këtë klub, lojtarë, trajnerë dhe të gjithë tifozët që më kanë pritur shumë mirë në qytet. Jam i kënaqur që e ndihmova Luftëtarin të arrijë në Europa League dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Po e lë ekipin aty ku e meriton, në Kategorinë Superiore dhe i uroj të gjitha të mirat “luftëtarëve”. Faleminderit për gjithçka”, shkruhej në postimin e Xheksonit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/