Një legjendë për të zëvendësuar një tjetër legjendë, Bufon drejt Portugalisë

Nuk ka kaluar ende një javë nga lamtumira e portierit Xhixhi Bufon nga PSG-ja dhe ofertat për të ardhmen nuk i kanë munguar. Portieri 41-vjeçar ka marrë disa propozime interesante, pasi përvoja e tij vlerësohet shumë dhe italiani dëshiron të luajë edhe një sezon në Champions.

Për këtë arsye, midis shumë ofertash, njëra prej tyre mund t’ia prishë mendjen. Bëhet fjalë për interesimin e Portos për veteranin italian. Bufon mund të zinte kështu vendin e një tjetër legjende, të Iker Kasilas, i cili ka pasur probleme me zemrën muajin e kaluar. Do të ishte një lëvizje emblematike e dy portierëve të mëdhenj, të cilët e kanë shfaqur gjithmonë hapur admirimin për njëri-tjetrin.

Porto synon të ketë një ecuri më të mirë në Champions. Sezonin e fundit eliminoi Romën, por u ndal nga Liverpuli. Bufon mund ta ndihmojë në këtë drejtim dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për një akord të mundshëm. / Vipsport.al