Një karton i Keidi Bares bën lëmsh gjithçka, Malaga sheh t’i largohet La Liga

Një karton i verdhë i marrë nga Keidi Bare në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Deportivo La Korunjës, ka komplikuar rrugëtimin e Malagas drejt La Liga, edhe pse skuadra e mesfushorit shqiptar dukej si favoritja kryesore për t’u ngjitur në elitë nëpërmjet play-off. Deportivo fitoi me shifrat 4-2 sfidën e parë në fushën e vet, ndërsa për Malagan situata komplikohet pasi Bare dhe dy titullarë të tjerë nuk do të jenë në ndeshjen e kthimit.

Bare ishte si zakonisht titullar në ndeshjen të cilën skuadra e tij në pjesën e parë e dominoi dhe po e kryesonte 2-1. Por në minutën e 29-të ai humbi një duel në mesfushë dhe u detyrua të ndalte kundërshtarin i cili mund të shkonte i vetëm drejt zonës duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Ky karton e kushtëzoi shumë në vijimin e ndeshjes, pasi për të mos rrezikuar të kuqin ai u detyrua praktikisht të mos bënte faulle dhe si rrjedhojë ishte më e lehtë të kalohej.

Mbajtja e tij në lojë nga trajneri Viktor ishte një vendim që u kritikua ashpër pas sfidës nga tifozët, pasi në pjesën e dytë Malaga humbi agresivitetin dhe Deportivo gjeti tre herë rrugën e rrjetës dhe fitoi sfidën 4-2.

Ky karton i verdhë, për më tepër, ishte i 5-ti në kampionat për Baren, që sjell pezullimin me një ndeshje të mesfushorit dhe e lë atë jashtë sfidës së kthimit. Bashkë me të do të jenë jashtë edhe sulmuesi më në formë, Ontiveros, ndërsa Pau Torres u dëmtua, duke lënë Malagan pa tre titullarë duke zbehur ndjeshëm mundësitë për të kaluar në finalen e playoff. /vipsport.al/