Një hap pranë firmës me Sadikun, në Turqi zbulojnë rrogën e sulmuesit kuqezi

E ardhmja e Armando Sadikut pritet të jetë në Turqi, interesimi i një klubi me emër si Trabzonspor nuk është thjesht thashethem i merkatos. Në Turqi janë të bindur se marrëveshja do të firmoset shumë shpejt, mbetet peng vetëm i një miratimi përfundimtar të trajnerit Unal Karaman edhe pse ai ka qenë parimisht dakord.

Që nga momenti kur klubi mësoi se ekzistonte mundësia që të firmosej me Sadikun, nisën kontaktet me Levanten për transferimin përfundimtar të tij. Sipas mediave turke, Levante ka kërkuar 750 mijë euro për kartonin e futbollistit të përfaqësueses shqiptare, ndërsa pala turke pretendon që kjo shifër të ulet në 500 mijë euro për të finalizuar marrëveshjen.

Ndërkohë, është arritur akordi financiar sa i përket vetë futbollistit shqiptar. Lojtari ka dhënë miratimin e tij për të firmosur me një rrogë prej 750 mijë eurosh në vit në klubin turk dhe sipas të gjitha gjasave, pritet që në ditët në vijim palët të nënshkruajnë akordin për finalizimin e transferimit. /vipsport.al/