Nis epoka e re në Madrid! 10 vite pasi u thye çdo rekord, dyfishohen shpenzimet në merkato

Real Madridi ka kaluar këtë sezon një nga sezonet më të dobëta të paktën në dekadën e fundit duke e mbyllur kampionatin pa asnjë trofe, duke u turpëruar si në Europë ashtu edhe në përballjet ndaj Barcelonës. Të shumta kanë qenë kritikat karshi presidentit Florentino Perez i cili kishte kursyer jo pak në merkato duke mos blerë yje dhe sidomos pasi u shit edhe Ronaldo.

Kjo verë, ka nisur e nxehtë për Realin duke qenë se ka arritur të zyrtarizojë disa blerje të bujshme deri më tani, me Joviç dhe Hazard që u zyrtarizuan pak ditë më parë dhe me Mendin, Militaon, Rodrigon që shihen si përforcime që mund të ndihmojnë në arritjen e objektivave. Në vitin 2009, Reali blinte yjet e futbollit europian me Ronaldo, Kaka, Benzema e të tjerë dhe duke arritur në 250 milionë euro shpenzime, rekord ky që do të thyhet këtë merkato nga madrilenët.

Deri më tani, Reali ka shpenzuar mbi 300 milionë euro dhe synon që të blejë edhe të tjerë futbollistë me kalimin e javëve ku Pogba mbetet synim për mesfushën ndërkohë që do të tentohet deri në fund për Mbapen. Madrilenët synojnë që të ndërtojnë një skuadër për të rikthyer titullin “galaktikët” te madrilenët dhe për t’u rikthyer te titujt kampionë në Spanjë dhe Europë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/