Nis aventura italiane për Rrahmanin, mbrojtësi kryen vizitat mjekësore te Verona

Amir Rrahmani ka nisur tashmë zyrtarisht aventurën e tij italiane, teksa mbrojtësi është transferuar te skuadra e Hellas Verona. Veronezët këtë sezon rikthehen në Serinë A dhe lojtari i përfaqësueses së Kosovës, është parë si një element i rëndësishëm për të përforcuar ekipin.

25-vjeçari është duke kaluar vizitat mjekësore, ndërsa më pas do të vijë edhe firma në kontratë, për t’u shndërruar në futbollistin më të ri të Veronës. Sakaq, mbrojtësi do të firmosë një kontratë katërvjeçare. Amir Rrahmani ishte pjesë e Dinamos së Zagrebit, teksa paraqitjet me kroatët nuk kanë kaluar pa marrë vëmendje.

Sezonin e kaluar, mbrojtësi ka qenë një titullar i rregullt për Zagrebin, ndërsa forma e tij është pasqyruar edhe në ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës. Ndërkohë, klubi kroat do të përfitojë 2.1 milionë euro për kartonin e mbrojtësit. Në këtë mënyrë, ish-lojtari i Partizanit në Kategorinë Superiore, tashmë do t’i shtohet kolonisë së shqiptarëve në Serinë A.

/Egi Çabeli-VipSport.al/