Nga Portugalia gjejnë zëvendësuesin e Feliks, Benfika kërkon talentin që shkëlqeu në Botërorin U-20

Do të jetë e vështirë për Benfikën të mbajë në organikën e saj edhe për një tjetër sezon, talentin Zhoao Feliks. Sulmuesi shpërtheu këtë sezon me golat e tij duke tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha europiane, teksa Mançester Siti, Juventus, Atletiko dhe Real Madrid kanë nisur një garë të ashpër për të siguruar shërbimet e tij.

Në këtë mënyrë klubi portugez po mendon për zëvendësuesin, për të mos humbur golat në sezonin tjetër. Benfika ka identifikuar dhe është vënë në lëvizje për të siguruar shërbimet e sulmuesit Andrea Pinamonti. 20-vjeçari ishte i grumbulluar me Kombëtaren e Italisë në Botërorin e 20-vjeçarëve, teksa spikati me 4 golat e tij në 6 ndeshje.

Talenti është në pronësi të Interit, ndërsa në sezonin e fundit ishte i huazuar nga zikaltërit te Frosinone. Sipas medieve portugeze, Benfika do t’i ofrojë Interit huazimin për një sezon me të detyrimin or ta blerë përfundimisht pas një viti për shumën e 15 milionë eurove. Ndërkohë, për lojtarin ka shprehur interesim edhe Porto, megjithatë Benfika ka marrë hapa konkretë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/