Nga juventin në interist, pas Marota dhe Konte e ka radhën Dani Alvesh!

Dani Alvesh është gati të kthehet në Itali, ku për një sezon veshi fanellën e Juventusit. Mbrojtësi ka lënë PSG-në dhe është në kërkim të një aventure të re, ndoshta e fundit në futbollin e rëndësishëm për brazilianin i cili nuk ka ndër mend të heqë dorë nga objektiva të rëndësishëm edhe pse është 36-vjeçar.

Sipas “France Football”, atë e tundon ideja që të bashkohet me Antonio Konten në Serinë A, duke veshur fanellën e rivalëve historikë të Juventusit, atë të Interit. Sipas të njëjtit burim, Konte ka bërë të qartë se Alvesh është perfekt për modulin e tij të lojës 3-5-2, dhe ka udhëzuar klubin që të kontaktojë me futbollistin i cili padyshim që do t’i jepte një dorë për të ecur para në pretendimet që kanë zikaltërit.

Por nuk do të jetë e thjeshtë të bindet braziliani, pasi raportohet se për të janë interesuar edhe Mançester Siti dhe Borusia Dortmund, të cilët i kanë vënë para projekte po aq interesante lojtarit. /vipsport.al/