Nesër vizitat dhe firma e Rrahmanit, menaxheri Aliaj: Itali, ne po vijmë

Tashmë nuk ka asnjë dyshim: Amir Rrahmani nesër do të bëhet zyrtarisht një futbollist i Veronës, pasi do të nënshkruajë me klubin e sapokthyer në Serinë A për t’u bërë edhe ai pjesë e elitës së futbollit italian. Zërave të ditëve të fundit se të mërkurën futbollistit i përfaqësueses së Kosovës do të zyrtarizonte gjithçka, i ka “vënë vulën” menaxheri i tij, ish-mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Adrian Aliaj.

Ky i fundit ka shoqëruar Rrahmanin në çdo hap të karrierës së tij futbollistike pasi u largua nga Shqipëria duke i mundësuar transferimin te Split fillimisht e më pas te Dinamo Zagreb. Tani, Aliaj është ai i cili ka shërbyer si ndërmjetës edhe për kalimin te Verona, që është hapi më i rëndësishëm i karrierës për mbrojtësin.

Pikërisht Aliaj, me një postim në rrjetet sociale, ka zyrtarizuar edhe udhëtimin e Rrahmanit drejt Italisë për firmën në kontratë. “Itali, ne po vijmë”, shkruante Aliaj pak çaste para nisjes nga Zagrebi bashkë me mbrojtësin drejt Veronës. Nesër, atje Rrahmani do të kryejë vizitat e detyrueshme mjekësore e më pas do të hedhë firmën në kontratën katërvjeçare me klubin italian. /vipsport.al/