Në Madrid më keq se në Napoli, i grabisin shtëpitë edhe Zidan e Iskos

Prej disa vitesh, në Napoli kanë një problem shumë të madh. Lojtarët nuk duan që të shkojnë te ky klub pasi kanë frikë se do t’i grabisin, siç u ka ndodhur shpesh yjeve të skuadrës napolitane ndër vite duke bërë që disa prej tyre të nxitonin që të siguronin një transferim në klub tjetër.

Të njëjtin problem duket se do ta kenë shumë shpejt në Madrid edhe Reali me Atletikon, pasi njëri pas tjetrit, futbollistë e trajnerë të skuadrave të këtij qyteti janë bërë viktima të grabitjeve, disa prej tyre të armatosura. Sipas mediave spanjolle, bëhet fjalë për 11 grabitje vetëm në vitin e fundit dhe në listë janë shtuar së fundmi edhe Zinedin Zidan dhe Isko.

Ngjarjet kanë ndodhur pak ditë pasi iu grabit shtëpia Alvaro Moratës, me një grup të armatosur që hyri dhe terrorizoi gruan e tij që po mbante dy fëmijët e vegjël.

Kjo situatë ka shtyrë Real Madrid që t’u dërgojë mesazh urgjent lojtarëve që të mos tregonin nëpërmjet fotove apo postimeve në rrjetet sociale se ku banonin si dhe të ishin të kujdesshëm në këtë periudhë, pasi qartësisht nuk bëhej fjalë për një rastësi, por për sulme të menduara e organizuara mirë. /vipsport.al/