Në Kosovë janë të bindur për Seferin: Zgjedhja e tij është Shqipëria, nuk e kemi kontaktuar

Taulant Seferi do të mbetet një futbollist i Shqipërisë dhe këtë e ka treguar shpesh herë vetë futbollisti nga Kumanova, i cili ka qenë edhe kapiten i Shpresave kuqezi. Natyrisht që Maqedonia e Veriut e konsideron një futbollist të rëndësishëm dhe e ka kontaktuar disa herë, por telefonatave maqedonase, Seferi u është përgjigjur negativisht.

Së fundmi, në skenë ka dalë edhe emri i Kosovës dhe mundësia që Seferi mund të ketë për të luajtur me “Dardanët”. E gjitha kjo, duket se është vetëm një spekulim dhe këtë e ka zbuluar vetë menaxheri i Kosovës, Bajram Shala që në një intervistë për “Gazeta Olle” u shpreh se Seferi e ka bërë zgjedhjen e tij.

“Kosova nuk e ka kontaktuar asnjëherë Taulant Seferin për të qenë pjesë e Kombëtares A, pasi që ai është pjesë e Shqipërisë dhe ne e respektojmë këtë zgjedhje të tij. Nuk e di nga kanë dalë këto fjalë, por nëse janë vetëm sa për presion ndaj Shqipërisë, atëherë mendoj se ka ardhur koha që presione të tilla të ndalën qoftë ndaj Kosovës, qoftë ndaj Shqipërisë dhe futbollistët duhet të mësohen të presin momentin e tyre për të cilën do Kombëtare.

Përtej kësaj, ai e ka shfrytëzuar një here të drejtën e ndërrimit të ekipit Kombëtar, kur ka vendosur të lërë Maqedoninë për Shqipërinë dhe juridikisht nuk mundet të luaj për një kombëtare të tretë”, u shpreh Shala. /Erjon Allaraj-VipSport.al/