Në Izrael i frikësohen Laçit, kujtojnë fatin e trajnerit të Anorthosis

Ndeshjet në turin e parë të Ligës së Europës mes Hapoel Ber Sheva dhe Laçit sigurisht që shohin skuadrën izraelite si favorite për të kaluar më tej në turne. Eksperienca në këto vite në Europë duke luajtur me skuadra më të forta, por edhe fakti që është një klub i ndërtuar me një buxhet më të madh, bën që izraelitët të shfaqen si favoritë ndaj kurbinasve.

Megjithatë, në Izrael janë shumë të kujdesshëm pasi kanë parë se Laçi bën surpriza herë pas here. Dhe në mediat izraelite është trumbetuar shumë fakti se si me të njëjtin status prej jofavoriti, Laçi kaloi një ekip me emër si Anorthosis një vit më parë. Një eksperiencë e cila ata kujtojnë se i ka kushtuar shumë shtrenjtë trajnerit izraelit Roni Levi.

Pikërisht ky i fundit ishte tekniku i Anorthosis gjatë verës së kaluar, por u shkarkua nga drejtuesit e klubit pasi dështoi përballë Laçit në Europë. Levi është kthyer tashmë në Izrael ku drejton Beitar Jeruzalem pas asaj eksperience jo shumë të lumtur në Qipro për faj të Laçit. /vipsport.al/