Në grupet e Champions dhe shok me Gjimshitin, Guarin sakrifikon për t’u rikthyer në Itali

Ditët e fundit ka filluar të përflitet gjithnjë e më shumë se përforcimi i parë i Atalantës për sezonin e ardhshëm, do të jetë ish-mesfushori i Interit, Fredi Guarin. Kolumbiani është prej 3 vitesh pjesë e kampionatit kinez teksa aktivizohet me skuadrën e Shangai Shenhua.

Megjithatë, ideja për t’u rikthyer sërish në Europë dhe në një kampionat të cilin e njeh mirë, duket se e ka ‘joshur’ 32-vjeçarin. Ndërsa, duke shtuar edhe faktin se bergamaskët janë të kualifikuar në grupet e Ligës së Kampionëve, atëherë kjo e bën klubin më atraktivë në sytë e Guarin.

Madje, mesfushori është i gatshëm të ulë edhe rrogën që përfiton në Kinë, për të shijuar edhe njëherë emocionet e futbollit europian. Palët kanë nisur bisedimet dhe nëse marrëveshja mbyllet me sukses, atëherë ky do të ishte një investim me shumë vlera për skuadrën në të cilën aktivizohen edhe dy shqiptarët Gjimshiti dhe Berisha, duke ditur eksperiencën e Guarin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/