Ndizet merkato, Olimpik Marseja kërkon një mbrojtës shqiptar nga Lacio

Merkato e verës do të shohë protagonistë shumë futbollistë shqiptarë të cilët pritet të ndryshojnë destinacion në javët e ardhshme. Disa prej tyre kërkojnë një sistemim më të mirë, apo një skuadër ku të luajnë rregullisht. Megjithatë, kjo verë i ofron një mundësi shumë të mirë në veçanti Riza Durmishi.

Mbrojtësi shqiptar i cili përfaqëson Danimarkën në arenën ndërkombëtare, nuk ka arritur të tregojë vlerat e tij siç duhet me Lacion, për shkak dëmtimesh. Por gjithsesi, paraqitjet që ka dhuruar kanë bindur një gjigant të futbollit francez si Olimpik Marseja që të hidhet në sulm për të siguruar firmën e tij.

Sipas “L’ Equipe”, Olimpik Marseja është vënë në kërkim të një mbrojtësi krahu dhe ka piketuar futbollistin e Lacios si një alternativë të mundshme me një kosto jo shumë të lartë. Kartoni i Durmishit aktualisht përllogaritet 4 milionë euro dhe te Lacio do të ishin të lumtur ta linin të largohej drejt një aventure tjetër duke llogaritur se nuk e shohin më si titullar të mundshëm për mënyrën e lojës së Inzagit. /vipsport.al/