Musta me fjalë zemre: Në Vlorë kalova 2 vite fantastike, shpresoj të jem në memorien tuaj

Emiliano Musta i ka dhënë lamtumirën Flamurtarit dhe sot është prezantuar zyrtarisht si futbollisti më i ri i Kukësit. Mesfushori nga Elbasani largohet në këtë mënyrë pas dy vitesh nga Flamurtari, pas një sezoni mjaft të vështirë së fundmi ku problem i vazhdueshëm ishin pagat e prapambetura.

Megjithatë, nëpërmjet një postimi në “Instagram”, Musta u shpreh se në Vlorë ka kaluar dy vite fantastike duke mos harruar të falënderojë stafin teknik dhe presidentin e Flamurtarit, e njëkohësisht edhe të Kukësit, skuadër te e cila do të luajë këtë sezon.

“Përshëndetje miqtë e mi. Duke filluar nga sot zyrtarisht, nuk jam më pjese e FC FLAMURTARI, dua të falënderoj presidentin SINAN IDRIZI… Trajnerët që kam punuar, shokët e ekipit, sportdashësit vlonjatë, ultrasit “FLOTA KUQ E ZI” për këto dy vite të mrekullueshme që kalova ne VLORË. Ndjehem krenar që kam përfaqësuar një ekip me traditë si “FLAMURTARI” dhe shpresoj të mbetem sadopak ne memorien dhe zemrën tuaj për çka kam dhënë në fushën e lojës, sikurse ju do të mbeteni gjithmonë në timen.

FALEMINDERIT FLAMURTAR!! Sot e në vazhdim kam vendosur të vazhdoj karrierën time futbollistike me ekipin e K.F KUKËSIT.. Falënderoj presidentin Safet Gjici, stafin drejtues dhe stafin teknik për këtë mundësi dhe që besojnë në aftësitë e mia. Do jap gjithçka nga vetja ime për të arritur të gjitha objektivat e klubit dhe shpresoj që të gjithë së bashku t’ia dalim”, shkruante Musta në “Instagram”. /Erjon Allaraj-VipSport.al/