Muriqit i plotësohet dëshira, kampionët e Turqisë fitojnë duelin me Fenerbahçen

Sulmuesi Vedat Muriqi është një hap larg transferimit te gjigandët e Gallatasarajit. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, realizoi një sezon fantastik me skuadrën e Rizesporit, teksa u evidentua për aftësitë shënuese. Muriqi e mbylli kampionatin me 17 gola të realizuar, ndërsa në koleksionin e ish-sulmuesit të Teutës dhe Besës në Kategorinë Superiore, janë regjistruar edhe 8 asiste.

Në këtë formë, sulmuesi zgjoi interesimin e shumë klubeve, ndërsa në garë për shërbimet e 25-vjeçarit ishte edhe ekipi tjetër turk i Fenerbahçes, ndërsa nuk mungoi edhe oferta nga kampionati francez, me skuadrën e Tuluzës që provoi të bindte Rizesporin.

Megjithatë, në fund duket se pavarësisht pretendimeve të Rizesporit, nisur edhe nga vetë dëshira e Muriqit, klubi do të pranojë 4 milionë euro nga kampionët në fuqi të Turqisë, ndërsa për lojtarin përgatitet një pagë prej 1.8 milionë euro në sezon, teksa së bashku me bonuset do të kapë shifrën e 2.2 milionë eurove. Sipas asaj që raportojnë mediat turke, tashmë marrëveshja do të zyrtarizohet së shpejti.

/Egi Çabeli-VipSport.al/