Murinjo tani nuk preferon me klube: E shoh veten në një kombëtare

Zhoze Murinjo është gati të kthehet përsëri në pankinë, por duket se jo në atë të çdo fundjave apo mesjave. Trajneri mendon se ka ardhur koha që ai të provojë një eksperiencë me ekipet kombëtare dhe lë të hapur mundësinë e kalimit në një prej tyre në të ardhmen e afërt.

“Kurrë mos thuaj kurrë. Tani për tani e shoh veten më shumë në një ekip kombëtar më shumë se në një klub. Do të dëshiroja shumë që të merrja pjesë në një Europian apo Botëror. Kjo është ajo që më mungon në karrierë. Do të dëshiroja ta provoja, por jo detyrimisht me Portugalinë”, ishin fjalët e trajnerit portugez në një intervistë të dhënë për “Eleven Sports”.

Edhe më parë Murinjo i kishte shkelur syrin përfaqësueses së Portugalisë, por ka bërë të qartë se për sa kohë që në stol të ishte Fernando Santos, as nuk e shihte si opsion kombëtaren e vendit të tij. Ndërkohë, shpeshherë është folur për oferta të rëndësishme nga përfaqësueset e vendeve arabe, por ai i ka refuzuar pasi dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e ekipeve të rëndësishme. /vipsport.al/