Murinjo hedh poshtë hipotezën Njukasëll: Vendi i tetë nuk bën për mua, dua të fitoj

Hoze Murinjo është në kërkim të skuadrës së re, teksa luzitani shpeshherë ka përmendur se këtë sezon do të rikthehet në krye të një skuadre. Ish-trajneri i Mançester Junajtid është duke pritur ofertën e duhur, ndërsa së fundmi Murinjo është përfolur se mund të merrte postin e lënë bosh nga Rafa Benitez te Njukasëll.

Por, ka qenë vetë portugezi i cili ka larguar të gjitha opsionet për të marrë drejtimin e ‘qymyrxhinjve’, kjo pasi trajneri kërkon të marrë timonin e një ekipi ku mund të fitojë dhe jo të përfundojë në vendin e tetë.

“ Nëse dikush më ofron një kontratë të mrekullueshme 10-vjeçare dhe objektivi i skuadrës është të përfundojë në gjysmën e parë të klasifikimit, apo në vend të shtatë, të tetë, të nëntë, atëherë nuk ka problem, por nuk bën për mua. Kjo është natyra ime, objektivi im i parë është të luftoj për të fituar. Kam nevojë për një projekt e në të cilin sensacioni të jetë ai i të luajturit për të fituar”, tha Murinjo.

/Egi Çabeli-VipSport.al/