Murinjo gati të kthehet në Angli, merr me vete në staf edhe Materacin

Rafael Benitez zyrtarizoi ditën e sotme largimin nga drejtimi i Njukasëllit, teksa trajneri i dha fund aventurës një vjeçare. Teknikut i përfundonte kontrata në fund të qershorit dhe vendosi të mos rinovonte, ndërsa ka marrë edhe një ofertë nga Kina.

Sakaq, tashmë klubi i qymyrxhinjve duhet të nisë nga puna për të zëvendësuar spanjollin. Së fundmi, është përfolur se në stolin e Njukasëll mund të ulet Hoze Murinjo. Portugezi është pa punë prej kohës kur u shkarkua nga Junajtid, teksa është shprehur shpeshherë se do të pranojë projektin që e intrigon më shumë. Në fakt duket si një fantazi, megjithatë në aspektin financiar, Njukasëlli është i gatshëm të kënaqë kërkesat e luzitanit.

Ndërkohë, mediat italiane shprehen se në stafin e Murinjos mund të ketë vend për një person me të cilin ish-trajneri i Mançester Junajtid ruan marrëdhënie miqësore. Bëhet fjalë për Marko Materacin, lojtarin që  e ka pasur nën urdhrat e tij në kohën e Interit, ku arritën edhe suksesin historik të tripletës.