Mungon vetëm zyrtarizimi, mbrojtësi i Romës sistemohet në Napoli

Kostas Manolas do të jetë lojtari më i ri i Napolit. Mbrojtësi duket se ka arritur marrëveshjen dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit Ançeloti në sezonin e ardhshëm. Edhe pse mungon zyrtarizimi mes klubeve, çdo gjë po shkon sipas parashikimeve teksa Manolas ndër të tjera ka gjetur edhe vendin ku do të banojë gjatë aventurës së tij në Napoli.

Greku ishte edhe një objektiv i Juventusit, por bardhezinjtë më pas vendosën të ndjekin pistën e De Ligt, ndërsa në këtë mes përfituan të kaltrit duke shkëputur nga kryeqyteti një mbrojtës me shumë eksperiencë në Serie A. Ish-lojtari i Romës do të firmosë një kontratë pesëvjeçare, teksa do të përfitojë edhe 4 milionë euro në sezon.

Në këtë mënyrë, Manolas përgatitet për eksperiencën e re, teksa së bashku me Kalidu Kulibalin do të jenë dy siguritë e prapavijës për trajnerin Karlo Ançeloti, me Napolin që do të tentojë sërish në sezonin e ardhshëm të zbresë nga froni Juventusin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/