Mund të jenë rivalë në Ligën e Europës, te Roma bëjnë tifo për Kukësin

Te klubi i Romës duket se kanë mirëpritur shortin që është hedhur për pjesëmarrjen në turin e dytë të Ligës së Europës i cili i ka vënë përballë fitueses së çiftit Debrecen-Kukësi. Edhe pse në fakt verdhekuqtë presin që të mos luajnë këtë ndeshje, pasi mund të shkojnë direkt në grupe nëse konfirmohet përjashtimi për një sezon i Milanit, është e qartë që atyre u ka pëlqyer rezultati që ka dalë nga goglat e shortit dhe si preferencë do të kishin që të viheshin përballë Kukësit.

Kjo, jo vetëm për faktin e vështirësisë të kundërshtarit sepse në klub janë të ndërgjegjshëm që çdo rival është i vështirë njëlloj në këtë fazë të turneut. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, në klub duan thjesht që të evitojnë udhëtime të gjata e të lodhshme. Ndaj një duel me Kukësin për shkak të afërsisë gjeografike mes Italisë e Shqipërisë, do të ishte ideal për klubin italian nëse detyrohet të marrë pjesë në turin e dytë të Ligës së Europës.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e mediave italiane presin që Roma të mos e bëjë udhëtimin drejt Shqipërisë apo Hungarisë, pasi janë të bindur se gjatë ditës së enjte, UEFA do të dalë me vendimin për përjashtimin për një sezon të Milanit si rrjedhojë e shkeljes së Fair Play Financiar. Kjo i hap rrugë Romës të shkojë në fazën në grupe ndërsa Torinos që të zërë vendin e saj në kualifikuese. /vipsport.al/