Morata thërret ish-lojtarin e Juventusit te Atletiko, përgjigja ironike: Po, do vij të pastroj pishinën

Alvaro Morata ka një të shkuar te skuadra e Juventusit teksa ka fituar kampionatin italian dy herë ndërsa ka mbërritur edhe në finalen e Ligës së Kampionëve me bardhezinjtë, por pa arritur të triumfojë. Megjithatë, sulmuesi nuk i ka harruar shokët e tij në Torino.

Një prej tyre është edhe Simone Padoin, i cili ishte pjesë e Juventusit duke fituar pesë herë kampionatin italian, edhe pse nuk aktivizohej në vazhdimësi. Së fundmi, lojtari ishte pjesë e Kaljarit, teksa nëpërmjet një postimi në Instagram ka lajmëruar se pas tre viteve, ky ishte sezoni i fundit në Sardenja.

Tashmë 35-vjeçar, Padoin ka marrë një propozim nga ish-shoku i skuadrës te Juventusi, Alvaro Morata. Spanjolli e fton Padoin t’i bashkohet në Spanjë te Atletiko Madrid. Megjithatë, përgjigja e italianit ishte epike teksa shprehet: “ Po do vij për t’u kujdesur për kopshtin dhe të pastroj pishinën”. Një përgjigje auto ironike, e cila menjëherë është shpërndarë në rrjetet sociale duke u kthyer në virale.

/Egi Çabeli-VipSport.al/