Milinkoviç gjithnjë e më larg Lacios, Tare në gjueti për një tjetër talent

Verën e kaluar, Lacio arriti t’iu rezistonte ofertave për mesfushorin serb, Sergej Milinkoviç Saviç. Mirëpo, duket se këtë merkato lojtari do të largohet drejt një destinacioni të ri, teksa është shumë pranë skuadrës së PSG. Nga kjo tratativë, klubi kryeqytetas pritet të përfitojë 80 milionë euro, teksa një mundësi është edhe oferta prej 70 milionë euro plus kartonin e Paredes.

Kështu, me largimin e Milinkoviç, drejtori sportiv shqiptar i Lacios, Igli Tare ka nisur nga puna për të zbuluar talentin e radhës që do të bashkohet me bardhekaltërit. Si në rastin e Milinkoviç, të cilin e afroi si të panjohur dhe tashmë do të përfitojë një plus valencë të madhe, Tare ka evidentuar futbollistin e datëlindjes 1998, Jusuf Jazixhi.

Mesfushori me tipare ofensive është pjese e Trabzonsporit në Turqi, ndërsa vlerësohet me 20 milionë euro. Ndërkohë, në listën e Tares është edhe një tjetër lojtar nga kampionati turk si Elif Elmas, i cili është pjesë e Fenerbahçes. Ndërkaq, preferenca e Tares është futbollisti i Salcburg Dominik Zobozlai, por duhet mposhtur konkurrenca e Arsenalit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/