Milani zyrtarizon Xhampaolon, por klubi nuk i ofroi kontratë afatgjatë

Milani i ka dhënë fund pritjes dhe sot më në fund ka bërë zyrtar emërimin e Marko Xhampaolos si trajneri më i ri i kuqezinjve. Tekniku kishte gjetur akordin prej kohësh me skuadrën kuqezi, por priste më parë formimin e stafit të plotë drejtues të klubit me emërimet e Maldinit e Boban si dhe vendosjen e piketave për merkaton.

Mendohej se Xhampaolo do të ishte emri i duhur për një cikël të ri, por te Milani janë treguar shumë të kujdesshëm dhe ish-trajnerit i është besuar vetëm një kontratë dyvjeçare, deri në qershorin e vitit 2021 me mundësinë më pas për të rinovuar marrëveshjen.

“Milani komunikon se duke nisur nga 1 korriku 2019, do t’i besojë drejtimin teknik të skuadrës së parë Marko Xhampaolos, nëpërmjet një kontrate me klubin kuqezi deri në qershorin 2021, me një opsion rinovimi për deri në qershorin 2022.

Marko Xhampaolo ka koleksionuar 270 pankina në Serinë A, 324 në total duke konsideruar të gjitha kompeticionet. Ka nisur karrierën si trajner në vitin 2000 te Peskara, duke marrë Master për trajner në Koverçiano në vitin 2007. Ka drejtuar klube të ndryshme mes të cilave Kaljari, Siena, Katania, Çezena, Breshia e Empoli. Nga vera e vitit 2016 kishte një eksperiencë pozitive në drejtimin e Sampdorias. Ai do të nisë punën me ekipin e parë që nga 9 korriku, dita e stërvitjes së parë sezonale në Milanelo”, shkruhej në njoftimin e klubit italian. /vipsport.al/