Milani përjashton djaloshin e akademisë, kuqezinjtë nuk kanë vend për Kutronen

E ardhmja e sulmuesit të Milanit, Patrik Kutrone është në udhëkryq. Tek kuqezinjtë sulmuesi duket se nuk ka më vend, teksa titullar i padiskutueshëm është polaku Kristof Piotek. Ndërkaq, italiani nuk kënaqet me minutat e reduktuara përballë Piotek dhe do të kërkojë një akomodim të ri, edhe pse shumë do të varet nga paraqitja e Kutrones në kampionatin europian të U 21, i cili do të fillojë ditën e nesërme.

Megjithatë, edhe në Kombëtaren axurre, sulmuesi i kuqezinjve duhet t’i bëjë llogarite me Moise Kin, i cili nga ana tjetër nuk shpërdoron mundësitë e dhëna kur zbret në fushë, teksa e ka provuar me Juventusin. Por, edhe pse nuk është aktivizuar me vazhdimësi, Kutrone ka fituar pëlqimin e Montelas te Fiorentina.

Ndërsa, i interesuar mbetet edhe klubi i Sasuolos, i cili ka pasur gjithnjë filozofinë për të integruar sa më shumë të rinj vendas të talentuar. Dhe mund të ishte klubi ideal për Kutronen, për t’u rritur ende profesionalisht, duke qenë se Milani e ka blinduar repartin e sulmit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/