Milani nuk pranon të dëgjojë oferta për kapitenin, Romanjoli kthehet në ikonën e ciklit të ri

Milani nuk ka ndërmend ta humbasë kapitenin. Alesio Romanjoli është blinduar nga kuqezinjtë, teksa 24-vjeçari pretendohet të kthehet në simbolin e së tashmes por edhe së ardhmes. Drejtuesit e klubit nga Milano e kanë vendosur se për mbrojtësin nuk do të dëgjojnë oferta, teksa interesime ka pasur nga ana e PSG por edhe Juventusit.

Ndërkohë, ky vendim për të mos e lëshuar kapitenin vjen ekskluzivisht nga Eliot, pasi Milani kërkon të ndërtohet rreth Romanjolit, i cili gjithashtu do të jetë shumë i vlefshëm për të transmetuar vlerat e klubit. Në këtë mënyrë, cikli i ri të cilin ka nisur Milani, do të mbajë emrin e Romanjolit.

Edhe në sezonin e fundit, lojtari ishte lideri i mbrojtjes duke zhvilluar paraqitje të mira, ndërsa edhe me Kombëtaren e Italisë ka fituar vendin e tij. Kështu, Milani ka sakrifikuar milionat që mund të përfitonte nga transferimi i mbrojtësit, për të pasur një lider në organikën e lojtarëve.