Mërgjyshi: Ja pse zgjodha Apoloninë, rikthehemi në Superiore

Nuk ka më dyshime, Artan Mërgjyshi do të jetë trajneri i skuadrës së Apolonisë. Lajmin e ka konfirmuar edhe administrator Olsi Bregu për “Vipsport.al”. Ndërkohë ka folur për “Rtshsport” edhe trajneri i ri i fierakëve, Artan Mërgjyshi që ka qenë edhe më parë në stafin e skuadrës myzeqar dhe tashmë synon që ta rikthejë në elitë.

“Më vjen keq që ndahem nga Dinamo. Zgjati shumë ngërçi i drejtuesve më të lartë dhe situata nuk pret sepse ekipet po lëvizin në organizim dhe që të kesh një ekip me pretendime projekt duhet që të marrin “jetë” sa më shpejtë. Nga ana tjetër ajo që është më e rëndësishmja më mungonte pak adrenalina e trajningut. Më mungonte shumë kjo pjesë dhe bërë këtë zgjedhje”.

Apolonia

Mërgjyshi tregon se pse zgjodhi që të drejtonte në Kategorinë e Parë skuadrën e Apolonisë. “Nuk mund t’u thoja jo drejtuesve fierakë dhe kur më propozuan për të marrë drejtimin e skuadrës, pasi e njoh ekipin mirë por edhe klubin. Apolonia funksionon si një nga më të organizuarit në Shqipëri. Ka organizim, infrastrukturë, por edhe mbështetja është e plotë. Trajneri në Fier jep më të mirën sepse ka mbështetjen. Gjeta shpejt akordin me Apoloninë dhe për një sezon do të jem nën drejtimin e tyre”.

Kontrata

“Kontrata mund të shtyhet duke parë edhe ecurinë që besoj se do të jetë pozitive sepse në Fier gjithmonë kam bërë mirë por edhe bashkëpunimi ka qenë i frytshëm dhe këtë e kanë treguar edhe rezultate që ne kemi pasur”, – tha në fund të fjalës së tij, trajneri i skuadrës së Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

E.S./Vipsport.al/