Mërgim Mavraj në dyshim të fortë për Moldavinë, dëmtim apo qejfmbetje për shiritin?

Mbrojtësit Mërgim Mavraj i ka përfunduar skualifikimi pas ndeshjes me Islandën dhe duhej të ishte gati për trajneri Reja për ndeshjen e nesërme me Moldavinë. Për aktivizimi i tij është në dyshim të fortë për këtë ndeshje, sepse mbrojtësi me përvojë ka pasur probleme gjatë seancës së fundit.

Mavraj ka ndjerë shqetësime fizike dhe me shumë mundësi nuk do të luajë nesër, duke bërë që mbrojtja të jetë po ajo që luajti në Rekjavik pak ditë më parë. Por dyshimet e mungesës së Mavrajt në këtë ndeshje mund të lidhen edhe me shiritin e kapitenit të skuadrës.

Trajneri Edi Reja e bëri të qartë gjatë konferencës për shtyp se kapiten i ekipit do të jetë Elseid Hysaj, pavarësisht fakti se luan apo jo Mavraj. Ndoshta këtij të fundit i ka mbetur pak qejfi për këtë gjë. Kujtojmë që Mavraj u zgjodh kapiten në kohën kur Kombëtarja drejtohej nga Panuçi, pas votimit të futbollistëve kuqezinj. Versioni zyrtar për mungesën e mundshme të Mavrajt është dëmtimi, por edhe çështja e shiritit mund të ketë pasur ndikim.

Disa ditë më parë në Kombëtare u bë çështje Eros Grezda, i cili vendosi të linte grumbullimin, duke u justifikuar me problemet fizike, por më pas ishte trajneri Reja që zbuloi se ka pikëpamje të ndryshme me këtë futbollist. Trajneri italian sqaroi se ishte vendim personal i Grezdës për t’u larguar dhe për këtë ai duhet të mbajë vetë përgjegjësi. / Vipsport.al