Marina-Juventus 7-0! Bardhezinjtë detyrohen ta blejnë shtrenjtë Mauricio Sarrin

Prej shumë vitesh Juventusi është marrë si shembull me klubeve të ndryshme në Europë për mënyrën se si arrinte të bënte negociata për transferime futbollistësh duke siguruar kushte shumë të favorshme apo përfitime prej tyre. Por edhe ekspertët bardhezinj janë detyruar të dorëzohen para Marina Granovskaia, drejtueses së Çelsit, e cila i ka detyruar të paguajnë shtrenjtë për të siguruar Mauricio Sarrin, i cili këto ditë pritet të firmosë si trajneri i ri i Juventusit.

Italianët u përballën me refuzime të njëpasnjëshme nga emra si Guardiola e Poçetino, me Sarrin që mbeti si alternativë e vetme. Ata mendonin se do ta kishin të lehtë të siguronin trajnerin, pasi besonin se Çelsi do ta linte të lirë. Por në Londër kanë nuhatur menjëherë biznesin dhe Granovskaia bllokoi gjithçka, dukr lënë të kuptohej se edhe mund të mbante trajnerin që i siguroi klubit fitoren në Ligën e Europës dhe vendin e tretë në kampionat.

Në këtë situatë, Fabio Paratiçi u detyrua të shkonte drejt Londrës për të negociuar me londinezët dhe në fund të pranonte të paguante për të blerë Sarrin nga blutë. Sipas media angleze, Juventus do të paguajë 7 milionë paund për të shkëputur Sarrin nga londinezët, ku ai kishte kontratë edhe për dy vite me një rrogë prej 5 milionë paund në sezon. Me pak fjalë, Çelsi ka dalë shumë i fituar nga kjo çështje, ndërsa Juventusi i ka dhënë fund telenovelës së trajnerit të cilin e pagoi shumë më shtrenjtë se sa e kishte menduar. /vipsport.al/