Manaj e ka me gjyqtarin: U gabua, penalltitë duhen vërshëllyer

Rei Manaj ka dalë nga fusha e lojës mbrëmë i pakënaqur me gjyqtarin e ndeshjes që Albacete humbi 2-0 ndaj Majorkës. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare u rrëzua në zonë në fillimin e pjesës së dytë. Për shumëkënd ishte penallti, por jo për gjyqtarin e sfidës, i cili bëri shenjë që loja të vazhdonte.

“Luajtëm kundër Malagas javën e kaluar dhe nuk na dhanë penallti. Edhe këtë herë ishte njëlloj. Ndeshjet fitohen edhe falë penalltive, duhet që t’i vërshëllejnë kur janë të tilla. Gjyqtari u gabua, por edhe ne duhet të flasim në fushë e lojës”, tha Manaj para mediave pas duelit të parë të play-off për ngjitjen në La liga,.

Një humbje e tillë komplikon ndjeshëm ecurinë e ekipit, por Manaj është i sigurt se skuadra do të reagojë.

“Askush në dhomat e zhveshjeve nuk është dorëzuar. Jemi të bindur se të dielën mund ta mposhtim Majorkën. Të rikuperojmë dhe të bëhemi gati pasi të dielën do të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme”, deklaroi ai. /vipsport.al/