Maldini fikson lojtarin e Realit, mbrojtësi ‘peng’ i kushteve të madrilenëve

Pak ditë më parë, drejtori i Milanit, Maldini ishte me mision në Spanjë, teksa studio disa mundësi për klubin e tij. Legjenda e kuqezinjve, detyruar edhe nga gjendja e vështirë financiare e Milanit, ka nisur të mendojë për një merkato ‘low cost’ dhe kryesisht e orientuar drejt futbollistëve të rinj në moshë.

Ky është edhe objektivi i ri i klubit, për të gjetur të rinjtë e duhur në mungesë të anës financiare, për të provuar sërish sezonin e ardhshëm, nën urdhrat e trajnerit të ri, Marko Xhampaolo kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Në këtë formë, Maldini tashmë është vënë në ndjekje të mbrojtësit të majtë, Teo Hernandez. 21-vjeçari, duket se në një mënyrë është i detyruar të largohet nga Madridi, duke parë transferimin më të ri të Mendi, por edhe konkurrencën e Marselos.

Kuqezinjtë kërkojnë të përfitojnë nga situata, por lojtari ka mbetur peng i kushteve të Realit. ‘Los Blancos’, kërkojnë një huazim me detyrim blerje, ndërsa Milani nuk është i bindur dhe ofron vetëm të drejtën e blerjes. Megjithatë, gjuha e përbashkët mund të gjendet së shpejti dhe italianët të bëjnë një sforco për t’i dhuruar trajnerit përforcimin e parë në merkato.

/Egi Çabeli-VipSport.al/