Lukaku i jep dritë jeshile Interit: E dua Italinë, Konte është trajneri më i mirë në botë

Romelu Lukaku është me valixhe në duar. Të paktën kjo është ajo çka lë të kuptohet nga fjalët e sulmuesit nga grumbullimi i Kombëtares belge. Lukaku, shpeshherë ka hedhur fjalë mbi një transferim drejt Italisë, megjithatë këtë herë duket se lojtari e ka marrë vendimin për t’u larguar nga Mançester Junajtid. “ A do të kem një verë të trazuar? Po, mendoj se ashtu do të jetë.

Kam një kontratë me Mançester Junajtid, por do të flas me klubin dhe agjentin për të marrë vendimin më të mirë. Tani thjesht dua të shijoj pushimet me familjen. E di se çfarë dua të bëj, por nuk dua të shprehem”. Sa i përket zërave që e shohin te Interi, Lukaku u përgjigj: “Shumë mirë që Konte shkoi te Interi, për mua ai është trajneri më i mirë në botë.

Jam një fans i madh i Serisë A, njerëzit përreth meje gjithnjë e kanë ditur se unë doja të luaja në Premier League dhe Serie A. E dua Italinë”, tha Lukaku. Mesa duket, Interi e ka gati zëvendësuesin e Ikardit dhe ai do të vijë nga skuadra e Mançester Junajtid, pasi fjalët e belgut ishin të qarta.

/Egi Çabeli-VipSport.al/