Luftëtari bën goditjen e parë në merkato, firmos me ish-sulmuesin e Olimpiakosit

Pas largimeve të shumta në javët e fundit, Luftëtari ka bërë goditjen e parë në merkato duke firmosur me një futbollist me shumë emër në futbollin grek dhe jo vetëm. Sulmuesi nigerian, Majkëll Olaitan do të jetë sulmuesi më i ri i gjirokastriteve për sezonin e ardhshëm dhe bëhet fjalë për një sulmues që e njeh mirë portën.

Olaitan në të kaluarën e tij ka qenë edhe sulmues i Olimpiakosit, kui në 25 ndeshje të luajtura ka arritur të shënojë 11 gola ndërkohë që për disa kohë ka luajtur edhe në Holandë si i huazuar te Tuente. Sulmuesi 26-vjeçar së fundmi, ka luajtur me fanellën e Apolo Pontosit ku në 17 ndeshje e ka gjetur golin 3 herë.

Ditët në vijim, pritet që Olaitan të prezantohet zyrtarisht me fanellën e Luftëtarit dhe të nisë përgatitjet për sezonin e ardhshëm ndërkohë që në Gjirokastër priten të tjera afrime. Olaitan do të zërë vendin e Dungës në skuadër, pasi ky i fundit ka arritur akordin me Tiranën dhe pritet të zyrtarizohet së shpejti. /Erjon Allaraj-VipSport.al/