Ledio Pano: Nuk jemi të kënaqur me këtë Partizan, duhen afrime pasi mungon cilësia

Ish-futbollisti i Partizanit, Ledio Pano, ka komentuar gjendjen aktuale të Partizanit para takimit që të kuqtë kanë ndaj Karabakut. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive”, Pano u shpreh se duhen afrime duke qenë se Partizani për momentin nuk është me cilësi.

“Merkato? E mira është të plotësojë sa më tepër reparte pasi Karabaku është ekip i fortë dhe kampion prej disa vitesh. Ne pretendojmë të ecim sa më lart sepse nuk është e pamundur edhe pse e vështirë.

Europa? Ndryshimet në klub ndoshta nuk janë për mirë megjithatë drejtuesit e dinë që kanë marrë vendimet dhe do të presim. Me largimet e bëra, duhen sjellë lojtarë më kompetentë pasi luajnë në Champions dhe ata që luajnë duhet të jenë të një niveli më të lartë. Ekipi duhet të reagojë që nga stafi e drejtuesit me marrjen e lojtarëve cilësor. Ekipi po përgatitet në Slloveni dhe trajneri i ri sjell ndryshim moduli dhe të shohim çfarë do të kërkojë. Duhet të presim për të parë ndryshimet pasi jemi jashtë. Ata që merren kanë përgjegjësi.

Fati është i rëndësishëm por jo gjithmonë në futboll duhet fat por punë. Luhet 11 me 11 dhe momenti aktual nuk është i mirë për nga cilësia e lojtarëve që ne si pjesëtarë dhe dashamirës nuk jemi të kënaqur. Është ende herët dhe ka vetëm 1 javë stërvitje. Afrimet e para i njohim dhe presim ndonjë afrim më të bujshëm për cilësi pasi emra janë lakuar.

Kordeiro është një futbollist shumë i mirë pasi e kemi parë te Kukësi ku ka bërë shumë mirë dhe ka dhënë maksimumin. Është lojtar që e njohim por duhet të shohim afrimet e reja që do të vinë dhe aty duhet të shohim sa do të bëjnë mirë. Në afrimet e viteve të fundit, nuk është se kemi pasur shumë sukses.

Ka vite që kemi ekipe me probleme letrash dhe këtu shihet niveli i futbollit shqiptar. Jemi mbrapa në krahasim me Europën dhe këtu duhet ligji i sportit dhe të përcaktojë organizimin e klubeve shqiptare dhe të ecim ashtu siç duhet”, tha Pano. /VipSport.al/